top of page

Tirana, ‘kryeqyteti’ i pistë i Evropës. Rreziku nga ndotja e ajrit

  • Writer: Admin
    Admin
  • Dec 29, 2016
  • 5 min read

Edhe pse rrethuar me male, prej tyre Tirana duket e mbështjellë me një vello të rëndë pluhuri. Kryeqyteti shqiptar përballet me ndotjen më serioze të ajrit në vend, në parametrat pothuajse pothuajse tre herë më të larta se ato evropiane. Ndërsa humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve për këtë shkak do të kapërcente 1.5-2 vite jetë për banor.

Sipas një raporti të publikuar në vitin 2012 nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Evropën, vetëm në qytetin e Tiranës, 500 vdekje në vit mund i atribuohen ndotjes së ajrit, kryesisht prej tejkalimit të përmbajtjes së grimcave më të vogla se 2.5 mikron. Një studim tregoi se nga ndotja e ajrit më shumë janë dëmtuar punonjësit në kryqëzimet e rrugëve dhe kryesisht policët e trafikut.

Burimi kryesor i ndotjes është trafiku rrugor, të cilit i shtohen aktiviteti i ndërtimit dhe ngrohja e banesave, thekson një raport i Institutit të Shëndetit Publik. Ndotësit e krijuar nga trafiku përfshijnë hidrokarburet, oksidet e azotit, lëndën e grimcuar dhe monoksidin e karbonit. Praktikisht, Tirana nuk ka tashmë burime të rëndësishëm industrialë të ndotjes së ajrit, si dy-tre dekada më parë. Por, ndotja e ajrit nga përdorimi i automjeteve të vjetra ne kryeyqtet dhe disa qytete kryesore të Shqipërisë, sipas ISHP, përbën më të vërtetë një problem shumë serioz.

Tirana vazhdon të mbetet një qytet me ajër të rrezikshëm për jetën në qendrën e saj, edhe pse ka një përmirësim të përmbajtjes se grimcave në ajër krahasuar në vite . Të dhënat tregojnë se përmbajtja e grimcave, PM 2.5 dhe PM 10, është praktikisht e njëjtë në qendër të qytetit dhe në periferi të tij, ç’ka thekson gravitetin e problemit të grimcave të imëta në ajrin urban.

PM10 është lëndë e grimcuar e imët, me diametër grimcash më të vogël se 10 mikron, ndërsa PM2.5 është lënda e grimcuar shumë e imët, me diametër grimcash më të vogel se 2.5 mikron. Këto lloj grimcash të ajrit konsiderohen aktualisht prej OBSH si ndotësit më të rrezikshëm urban për shëndetin e njeriut

Të dhënat tregojnë se nivelet mesatare ditore të PM10 në të dyja pikat e stacioneve automatike në kryeqytet janë tejkaluar. Niveli mesatar PM10 prej 31-80 µg/m3, sipas matjeve të ISHP-së), tejkalon disi normën dhe standardin shqiptar (60 µg/m3) dhe atë europian (40 µg/m3). Ndërkohë, edhe niveli i PM 2.5 prej 16-35 µg/m3 tejkalon normën dhe standardin shqiptar (15 µg/m3) dhe atë europian (25 µg/m3).

Niveli PM 10 PM2.5 NO2 O3 Normal 1-40 1-15 1-20 1-40 Mesatar 41-90 16-35 21-50 41-90 Kujdes! +90 +35 +50 +90

“Ky nivel mesatar i këtij elementi mund të rritet dhe më tej duke kaluar normat dhe standardet si pasojë e rritjes së aktiviteteve industriale, rritjes së numrit të automjeteve apo i kohës që ato shpenzojnë në rrugë, intesitetit te ndërtimit dhe pa masat paraprake gjatë ndërtimit, rritjes së qarkullimit të automjeteve të vjetra ose me emetime të larta gazrash, etj”, shprehen specialistët.

Në përmbajtje të gazeve nuk ka ndonjë ndryshim të rëndësishëm, nga që dioksidi i azotit NO2 dhe benzeni kanë thuajse të njëjtet nivele. Për dioksidin e azotit, një ndotës sekondar, matjet atyre europiane (40 ppb). Por ky nivel mesatar mund të rritet si pasojë e rritjes së numrit së automjeteve apo kohës që ato shpenzojnë në rrugë, rritjes së qarkullimit të automjeteve të vjetra ose me emetime të larta gazrash,mos përdorimit të energjisë alternative në banesat tuaja si panele diellore, mulli ere, gjeotermi, etj.

Lidhur me Ozonin (O3), matjet tregojnë vlerë të ulët prej 0 – 40 ppb, e cila është brenda normave shqiptare (65ppb). Sa i takon Monoksidit të karbonit (CO), burimi kryesor në Tiranë është djegia jo e plotë e karburanteve në automjetet rrugore dhe përqëndrimet më të lartë hasen pranë rrugëve. Por, ka tendenca stinore në cilësinë e ajrit që lidhen me kushtet e motit. Në dimër, cilësia e ajrit është më e rënduar se në stinën e verës e pranverës. Kjo pasi në dimër, ndotjes së shkarkuar nga makinat i shtohet edhe ndotja e shkarkuar nga djegia e lëndëve djegëse për ngrohje dhe në verë drita e diellit reagon me ndotjen e shkarkuar prej makinave që rezulton në rritjen e përmbajtjes së ozonit në nivelin e sipërfaqes së tokës.

Shkaktarët, ndikimi në shëndet

Në Tiranë, cilësia e ajrit është monitoruar që në mesin e viteve 1970. Monitorimi fillimisht u fokusua te dioksidi i squfurit dhe bloza dhe pas viteve 2000, vëmendja u zhvendos duke iu përgjigjur ndryshimeve të burimeve të ndotjes. Fillimisht burimet kryesore ishin industria dhe djegia e qymyrit dhe e druve, por këta ia lanë vendin automjeteve. Tre shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit aktualisht, sipas specialistëve, janë automjetet e vjetëruara, trafiku i makinave, ndërkohë që faktor tjetër i ndotjes janë edhe ndërtimet, të cilat nuk zbatojnë kriteret për të evituar ndotjen, por edhe reduktimi i sipërfaqeve të gjelbëruara. Në vitet ’90, Tirana kishte rreth 250 mijë banorë dhe rreth 7 mijë automjete private, ndërsa sot popullsia arrin në rreth 600 mijë me rreth 300 mijë automjete.

Bashkia e Tiranës shprehet se synon rritjen e përdoruesve të biçikletës në qytet dhe reduktimin e trafikut, me qëllim rritjen e cilësisë së ajrit dhe përmirësimin e shëndetit publik. “Kjo do të arrihet duke zgjeruar rrjetin e korsive të biçikletave, duke përmirësuar sigurinë e çiklizmit, të kalimit të biçikletave mbi ura dhe kryqëzime dhe institucionalizimin e çiklizmit në organizatat publike dhe private”, shprehet Bashkia. Por duket se korsitë e bicikletave, edhe aty ku ato ekzistojnë, më së shumti shfrytëzohen më së shumti për parkim makinash ose nga ato në lëvizje. Ecovolis ka protestuar për respektimin e korsive të bicikletave, për lehtësimin e lëvizjes, por edhe kjo duket se nuk ka rezultuar me sukses.

Shumica e popullatës në Tiranë lëviz rregullisht me mjete ekologjike transporti si ecja në këmbë, biçikleta dhe transporti public, por ka një përqindje të konsiderueshme që lëvizin me mjete private. Sipas të dhënave nga bashkia, rreth 36 % e popullsisë shqfrytëzojnë transportin public, 32 % me mjete private dhe vetëm 4 % me bicikletë.

Por kjo është vetëm një anë dhe rritja e sipërfaqeve të gjelbërta është një tjetër. Ambjentalistët vënë theksin e fortë edhe tek ky fakt, ndërsa shprehen se qyteti tashmë është betonizuar për shkak të ndërtimeve të shumta. Aktualisht, struktura e ambienteve të gjelbëruara shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 20 hektarë, ku më të rëndësishmet janë Parku i madh i Tiranës, Kopshti Zoologjik, Parku Rinia, etj. Por krahasuar me vitet ’90, kjo sipërfaqe mbetet e vogël.

Sa i takon ndikimit në shëndet, ndotja e ajrit pakëson jetëgjatësinë e banorëve, në avancimin dhe keqësimin e sëmundjeve kardiovaskulare e respiratore, si dhe gravizon frekuencën e ashpërsinë e simptomave azmatike e të sëmundjeve akute respiratore të fëmijëve. Cilësia e keqe e ajrit shkakton më shumë vdekje dhe sëmundshmëri se sa duhanpirja pasive, aksidentet rrugore dhe obeziteti, shprehen specialistët e shëndetit publik. Ata paralajmërojë për rrezikun nga ndotja e ajrit dhe kërkojnë marrjen e masave urgjente. Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund të japë efekte akute (të shpejtë, të fortë e të shkurtër) dhe kronike (me kohë zgjatje mbi 3 mujore) mbi shëndetin e njeriut. Disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj efekteve të ndotjes së ajrit se të tjeret. Personat me sëmundje ekzistuese të zemrës apo të mushkërive, fëmijët dhe të moshuarit janë vecanërisht të ndjeshëm. Sipas një studimi të ISHP-së, në vend mendohet të ketë rreth 1400 raste të reja me kancer çdo vit për shkak të ndotjes së ambientit.


Comentários


bottom of page